UBT News

Dënohet me dy vjet burg një prej të përfshirëve në vdekjen e Matthew Perry

Një nga personat e përfshirë në rastin e vdekjes së aktorit të njohur amerikan Matthew Perry është dënuar me dy vjet burg, raportojnë mediat amerikane.

I dënuari, Erik Fleming, 56 vjeç, ka pranuar fajësinë në gusht të vitit 2024 për një akuzë konspiracioni për shpërndarje të ketaminës, substancë që lidhet me vdekjen e aktorit.

Sipas autoriteteve amerikane, Fleming kishte siguruar ketaminë përmes një gruaje nga Los Angeles e njohur si “Ketamine Queen” dhe më pas ia kishte shpërndarë Perry-t. Përveç dënimit me burg, gjykata federale i ka shqiptuar edhe tre vjet mbikëqyrje pas lirimit dhe një gjobë simbolike prej 200 dollarësh.

Matthew Perry u gjet i vdekur në tetor të vitit 2023 në xhakuzin e tij në Kaliforninë Jugore. Më vonë u konstatua se vdekja e tij ishte shkaktuar nga efektet akute të ketaminës. Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej dy vjet e gjysmë burg, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të lehtë, duke argumentuar rehabilitim dhe trajtim për varësinë.

Rasti ka përfshirë gjithsej pesë persona, përfshirë mjekë dhe bashkëpunëtorë të afërt të aktorit, të cilët sipas autoriteteve amerikane kanë furnizuar me ketaminë dhe kanë shfrytëzuar varësinë e tij.

Në këtë çështje, disa të pandehur të tjerë tashmë janë dënuar, përfshirë edhe një mjek dhe një shpërndarëse droge e njohur si “Ketamine Queen”.

Exit mobile version