UBT News

Burg i përjetshëm për vrasjen në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm T.L, i cili akuzohej për vrasjen e një personi në dhjetor të vitit 2019.

Themelorja njofton se T.L., në dhjetor të vitit 2019, kishte vrarë SH.B., trupin ia kishte hedhur në një përrockë dhe më pas ia kishte djegur me benzinë.

“I pandehuri T.L. akuzohet se në dhjetor të vitit 2019 me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sh.B, në atë mënyrë duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqë të njëjtit ishin njohur më parë me rastin e shitblerjes së një parcele në shumë prej 157,000 €, të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri dhe mënyra e pagesës kishte qenë me rata, por meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14,000 €, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat, pastaj me tu takuar me të ndjerin nisen në drejtim të fshatit Prelez, me ç ‘rast pas një bisede i pandehuri e ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon njëherë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, ndërsa pas aktit të kryer e thërret të pandehurin – vëllain e tij, në mënyrë që ta ndihmoj dhe së bashku shkojnë tek vendi i ngjarjes, marrin trupin e të ndjerit dhe e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapole komuna Gjilan, e hedhin në një përrockë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale, pas kësaj i pandehuri i vetëm shkon tek pompa e derivateve merr një sasi të benzinës dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hudhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkat me benzinë dhe ia vë flakën. Pas kësaj i pandehuri përdor telefonin e të ndjerit dhe dërgon sms babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke ju shkruar se i ka marr të hollat dhe është nisur për në Gjilan për ta takuar një person.”, njofton Themelorja.

Gjykata Themelore njofton se i pandehuri D.L, akuzohet se me qëllim të fshehjes së provave të kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë ka ndihmuar të pandehurin e parë-vëllain e tij, në atë mënyrë që me të kuptuar se kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Sh.B, j shkon në fshatin Prelez, takohet me vëllain e tij dhe e ndihmon që ta fusin të ndjerin në bagazh të veturës dhe ta dërgojnë në fshatin Kishnapole, me ç ‘rast e hudhin në një përrockë, në mënyrë që të fshehin të gjitha provat e kryerjes së veprës penale./UBTNews

Exit mobile version