Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit G. K., duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e vëllait të tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ai akuzohet për dy vepra penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm, thuhet në komunikatën për media.
“I pandehuri G.K., akuzohet se me datën 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, për shkak të konflikteve që kishin mes tyre lidhur me pronën, i akuzuari G.K., me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B.K., ku me pas e ka djegur trupin e të ndjerit dhe mbetjet i ka hedhur në një vend deri tani të pa identifikuar, me qëllim për ti zhdukur gjurmët e krimit”, thuhet po aty.
I pandehuri ka qenë i dënuar më parë për vrasjen e bashkëshortes nga Gjykata e Lozanës në Zvicër.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.