UBT News

Dënohet me 6 muaj burgim ish-kryetari i Malishevës i akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 6 muaj burgim Ragip Begajn, ish-kryetar i Malishevës, i akuzuar për korrupsion, dënim i cili me pëlqimin e tij, mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

Begaj akuzohej se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc.

Aktgjykimi ndaj Begajt u shpall të hënën nga gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, në rast se nuk jepet pëlqimi për pagesën e dënimit me gjobë, atëherë mbetet në fuqi dënimi me burgim prej 6 muajsh.

I njëjti po ashtu obligohet që t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën 100 euro si dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Ndryshe, gjatë seancës fillestare së mbajtur më 5 gusht 2021, Begaj kishte deklaruar se ndjehet i pafajshëm.

Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar në shtator të vitit 2021, ky vendim ishte marr nga gjykatësja e Departamentit Special e ngarkuar me këtë lëndë, Violeta Namani.

Exit mobile version