Një gjykatë në Rusi konfirmoi të hënën se gazetarja amerikane Alsu Kurmasheva u dënua gjatë një procesi me dyer të mbyllura, që është parë gjerësisht si një hakmarrje.
Kurmasheva, e cila punon për agjencinë simotër të Zërit të Amerikës, për Radion Evropa e Lirë / Radio Liria (RFE/RL), u dënua të premten me gjashtë vite e gjysmë burgim për përhapje të informacioneve false në lidhje me ushtrinë ruse.
“Ky gjyq sekret dhe ky dënim ishte një parodi gjyqësore i vetmi përfundim i drejtë për Alsun do të ishte lirimi i menjëhershëm nga burgu ku e mbajnë gardianët rusë. Është koha që kjo shtetase amerikane, kolegia jonë e dashur, të ribashkohet me familjen e saj të admirueshme”, tha në një deklaratë presidenti dhe drejtori ekzekutiv i RFE/RL Stephen Capus.
Gjyqi me dyer të mbyllura u bë në qytetin Kazan, ku gazetarja është burgosur që në tetor 2023. Kazani është rreth 800 kilometra në lindje të Moskës.
Gazetarja dhe agjencia për të cilën ajo punon kanë refuzuar vazhdimisht akuzat e ngritura ndaj saj. Edhe qeveria amerikane ka bërë thirrje për lirimin e saj të menjëhershëm. Kurmasheva ka dy nënshtetësi, amerikane dhe ruse, por autoritetet ruse i kanë mohuar të drejtën e kontaktit me zyrtarët konsullorë amerikanë.
Në muajin qershor, 19 media dhe organizata të lirisë së shtypit i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara për të bërë më shumë për ta ndihmuar gazetaren Kurmasheva.
Në një letër të përbashkët drejtuar presidentit amerikan Joe Biden, këto organizata u shprehën se Kurmasheva është arrestuar “për shkak se është gazetare dhe gazetaria nuk është një krim”.
Organizatat që vëzhgojnë situatën e mediave thonë se Rusia ka një historik të gjatë burgosjesh të gazetarëve. Sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 22 janë arrestuar vetëm deri në fund të vitit 2023. Pothuajse të gjithë të arrestuarit janë shtetas të huaj citon VOA.