Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G., i cili ka pranuar se më 25 nëntor 2022 ka vrarë gruan e tij derisa ajo ishte duke fjetur.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se më 31.05.2023 i akuzuari I.G. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vite, dhe se të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit.
Ndërkaq, vetëm një ditë (30.05.2023) më parë 70-vjeçari kishte pranuar fajësinë.
“I akuzuari I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera S.G kishte ndërruar jetë. Kjo gjendje faktike është vërtetuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës”, thuhet në njoftim.