Një burrë 44-vjeçar nga Wisconsin-i i Shteteve të Bashkuara u dënua me mbi 200 vite burgim dhe 105 vite vëzhgim, pasi në qershor u deklarua fajtor për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes së vet.
Christopher Stokes raportohet se i telefonoi vetë autoritetet pas të shtënave të 27 prillit të vitit të kaluar, shkruan Fox News.
“Sapo e masakrova tërë familjen time. Pushka është ende në katin e sipërm me trupat. Sapo e vrava tërë familjen me Mossberg-un tim”, raportohet të ketë thënë ai në bisedën telefonike me shërbimet emergjente.
Ai madje kishte bërë dy telefonata në mëngjesin kritik dhe ishte ulur në shkallët jashtë shtëpisë, kur autoritetet kishin shkuar në vendin e ngjarjes.
Policia e bastisi shtëpinë e tij dhe gjeti një armë të tipit Mossberg në një dhomë gjumi. Avokati i të dënuarit kishte kërkuar dënim prej 35 vjetësh për klientin e tij.
Të vrarë në sulm kishin mbetur: Teresa Thomas, 41 vjeçe, Marcus Stokes, 19 vjeç, Lakeitha Stokes, 17 vjeçe, Tera Agee, 11 vjeçe dhe Demetrious Thomas, 14 vjeç.