Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtore Aurona Pelaj për veprën penale “sulm”, lidhur me rastin e vitit 2022 në shtëpinë e kujdesit në Pejë, ku ajo ishte e angazhuar si infermiere.
Gjykata e ka dënuar të pandehurën me 2 vjet e tre muaj burgim për sulmin ndaj një të moshuare të diagnostikuar me Alzheimer, e cila ishte e vendosur në atë institucion për përkujdesje.
Sipas aktgjykimit, e pandehura ka përdorur forcë ndaj viktimës derisa ishte në detyrë, duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e saj të pambrojtur. Ajo, sipas gjykatës, e ka kapur të moshuarën për duar, ia ka kufizuar lëvizjet, e ka mbështetur për muri dhe e ka goditur disa herë me shuplaka në fytyrë.
Në dënim është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 2 nëntori deri më 24 nëntor 2022, ndërsa pjesa tjetër e dënimit do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata ka shqiptuar gjithashtu masën e ndalimit të ushtrimit të profesionit të infermieres për një periudhë pesëvjeçare, duke filluar nga momenti kur vendimi merr formë të prerë.
Ndërkohë, dy të akuzuara të tjera në këtë rast janë liruar nga akuza për bashkëkryerje.
Në momentin e shpalljes së aktgjykimit, të akuzuarat nuk ishin të pranishme në sallën e gjykatës./A.K/
