Denis Villeneuve, regjisori franko-kanadez i nominuar për çmimin Oscar, do të drejtojë filmin e ardhshëm të James Bond, njoftoi Amazon MGM Studios.
Në një deklaratë, Villeneuve thotë se është një “fans i flaktë i James Bond” dhe synon të “nderojë traditën” e serisë.
Spekulimet kanë qarkulluar mbi të ardhmen e filmave 007 pasi producentët e Bond, Barbara Broccoli dhe Michael G Wilson, pas një kohe të gjatë, dhanë dorëheqjen nga rolet e tyre në shkurt.
Villeneuve do të shërbejë gjithashtu si producent ekzekutiv i filmit të ri dhe ka marrë vlerësime globale për interpretimin e tij të fundit të serisë Dune, së bashku me hite të tilla si Blade Runner 2049 dhe Arrival.
Amazon nuk publikoi detaje mbi aktorin e ardhshëm që do të luajë James Bond në njoftim. Villeneuve pranoi “përgjegjësinë e madhe” të drejtimit të filmit të ri dhe shprehu entuziazmin e tij për sfidën.
“U rrita duke parë filma të James Bond me babanë tim, që nga Dr No me Sean Connery. Jam një fans i flaktë i Bond. Për mua, ai është një territor i shenjtë”, tha ai.
“Kam ndërmend ta nderoj traditën dhe të hap rrugën për shumë misione të reja që do të vijnë”.
Ai shtoi se ai dhe producentët tjerë Amy Pascal e David Heyman janë “të emocionuar që ta sjellin atë përsëri në ekran”.
Drejtori i Amazon MGM Studios, Mike Hopkins, e përshëndeti Villeneuve si një “mjeshtër kinematografie” dhe vlerësoi aftësinë e tij për të ofruar “rrëfim gjithëpërfshirës” për audiencën globale.
“James Bond është në duart e njërit prej regjisorëve më të mëdhenj të sotëm dhe mezi presim të fillojmë aventurën e ardhshme të 007”, tha ai.
Pascal dhe Heyman shtuan se ëndrra e Villeneuve ishte të bënte film për Bond dhe “jemi me fat që jemi në duart e këtij regjisori të jashtëzakonshëm”. Është ende e paqartë se kur do të dalë filmi i ardhshëm i Bond, kërkimi për aktorin e ardhshëm për të luajtur spiunin titullar vazhdon.
Aktorët Aaron Taylor-Johnson e James Norton janë përfolur si kandidatë kryesorë, ndërsa emri i Paul Mescal është përfshirë në listë. Villeneuve fitoi famë me një sërë suksesesh kritike, duke përfshirë Sicario, Prisoners dhe Incendies.
Thrilleri i tij fantastiko-shkencor i vitit 2016, Arrival, i siguroi atij nominimin e tij të parë për Oscar për regji.
Kohët e fundit, filmat e suksesshëm Dune dhe Dune: Part Two fituan një total të kombinuar prej më shumë se 1 miliard dollarësh në të gjithë botën, me të dy filmat e nominuar për çmimin Oscar për Filmin më të Mirë në vitet e tyre përkatëse.
Villeneuve pritet të fillojë xhirimet e Dune Messiah, filmit të tretë të serisë Dune, më vonë këtë vit me një datë të mundshme publikimi në vitin 2026.