Gjykata dje ka dënuar Zivojin Nesiq me 15 vjet burgim për krime të dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky është vetëm rasti i dytë në historinë e pasluftës ku një individ dënohet për dhunë seksuale si krim lufte, duke përfaqësuar një zhvillim të rëndësishëm në procesin e drejtësisë tranzicionale në vend.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e mirëpriti vendimin, duke e cilësuar si një hap të domosdoshëm për njohjen e vuajtjeve të të mbijetuarve dhe për ndërtimin e një sistemi drejtësie që vë në qendër viktimën.
Në këtë rast, e mbijetuara ka qenë përfituese e shërbimeve të QKRMT-së, duke marrë mbështetje të vazhdueshme psikologjike dhe ligjore përgjatë gjithë procesit gjyqësor. Organizata thekson se fuqizimi i të mbijetuarve për të dëshmuar, pavarësisht barrierave shoqërore dhe emocionale, është një element thelbësor në kërkimin e drejtësisë.
“Ky dënim nuk është vetëm drejtësi individuale, por edhe një mesazh i qartë për shoqërinë kosovare dhe institucionet që duhet të përballen me të kaluarën e dhimbshme të luftës”, thuhet në deklaratën e QKRMT-së.
Qendra gjithashtu ritheksoi përkushtimin për të vazhduar mbështetjen ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës dhe për të kontribuar në krijimin e një sistemi drejtësie që respekton dhe dëgjon zërin e viktimave./KP/