Një pjesë e kanalit të Ibër–Lepencit në territorin e komunës së Zubin Potokut është dëmtuar nga persona të panjohur.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti të ketë ndodhur mes 22 dhe 25 nëntorit e ku janë përdorur mjete të forta.
“Është raportuar se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit (bajpas-it)”, thuhet në raport 24 orësh.
Rasti është cilësuar si “Asgjësim apo dëmtim i pronës”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve të incidentit.
Ndërsa më 29 nëntor bëhet një vit prej sulmit terrorist që ndodhi në kanalin e Ibër – Lepencit, ku ishte vënë lënda shpërthyese prej 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj./EO
