Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një numër të konsiderueshme të shkeljeve në financimin e federatave sportive nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sidomos nga procesi i përfitimit nga ligji i sponsorizimeve si dhe mbështetja financiare e federatave sportive në mënyrë direkte nga ana e MKRS-së.
Duke shpalosur të dhënat nga raporti, anëtarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Mirlinda Tishukaj-Sadiku tha se Zyra e Auditimit ka konstatuar se nga lëshimet në këto dy procese, buxheti i shtetit është dëmtuar me mbi 1.5 milion euro.
“Nga mostrat të cilat i ka analizuar Zyra Kombëtare e Auditimit rezulton se në ATK janë vërejtur se rreth 1 milion e 573 mijë e 246 mijë euro është dëmtuar buxheti i shtetit. Në këtë vlerë hyjnë 490 mijë e 347 euro që janë liruar bizneset nga tatimi dhe këto fonde nuk janë transferuar në klube, ndërsa rreth 1 milionë e 83 mijë e 246 euro bizneset i kanë sponsorizuar klubet pa u pajisur me vërtetim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit…Federatat sportive në Kosovë, nga 2020 deri më 25 tetor 2022 nuk kanë qenë të licencuara. Ato kanë filluar të licencohen me radhë nga data 25 tetor 2022. Edhe pse federata nuk kanë qenë të licencuara dhe nuk kanë pasur të drejtë të zhvillojnë aktivitetet sportive dhe të financohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit apo sponsorizimit, Ministria e Kulturës ia ka financuar këto federata edhe gjatë kësaj periudhe kohore. Bazë më këtë financim është marrë vendimi i ministrit i datës 30 prill 2021 për vazhdimin e vlefshmërisë së licencave të federatave sportive”, tha Tishukaj-Sadiku.
Më këto të gjetura është pajtuar edhe vet ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku. Ai ka thënë para komisionit se edhe nga vetë ana e ministrisë që ai e drejton është nisur një proces tashmë që ka për synim hetimin e disa dyshimeve për keqpërdorim të Ligjit të sponsorizimit dhe se tashmë me këtë çështje po merret Policia e Kosovës. Ndërsa për financimin direkt të federatave, Çeku tha se kjo po bëhet në bazë procesit për kategorizimin e federatave.
“Nga raporti ynë i brendshëm për sponsorizime për vitin 2022, nga lista e përfituesve të sponsorizimit, ne i kemi identifikuar, por ka qenë më tepër një listë e dyshimeve që i kemi pasur mbi shumat e sponsorizimit, kemi kontaktuar me Departamentin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe ato shqetësime tona të cilat kanë qenë shqetësime edhe të komunitetit që kanë ardhur tek ne i kemi bartur në Policinë e Kosovës dhe kemi kërkuar që ata të zhvillojnë hetime në lidhje me këto dyshime të bazuara sipas mendimit tim…Kur është fjala për financimin e federatave, natyrisht legjislacioni ynë i sportit e parasheh procesin e kategorizimit të federatave dhe ky proces i kategorizimit në fund pas vlerësimeve që bëhen nga komisionet profesionale nxjerrë listën e pikëve për secilën federatë që është minimal i nevojshëm për financimin e federatave”, tha Çeku.
Ndërsa, drejtori i ATK-së, Ilir Myrtezaj deklaroi se tashmë ka disa raste kur kompanitë janë detyruar që t’i kthejnë paratë që nuk i kanë paguar si tatim duke u mbuluar me Ligjin e Sponsorizimit.
“Aty ku nuk janë përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen me ligj të sponsorizimit, me ligj të TAK-ut dhe me rregullore, normalisht që i kemi detyruar kompanitë që t’i kthejnë mjetet, që ta paguajnë tatimin që nuk e kanë paguar duke e justifikuar me gjoja dhënien e sponsorizimeve. Jo vetëm dy, por në të gjitha rastet janë kthyer mjetet…Në të gjitha rastet ku është konstatuar, e që shuma është mbi 1 milion euro”, theksoi Myrtezaj.