Këngëtarja amerikane, Demi Lovato, ka ndarë arsyet pse ka zgjedhur të flasë hapur për vështirësitë personale që ka përjetuar gjatë viteve.
33-vjeçarja, e cila në vitin 2010 kaloi tre muaj në një qendër rehabilitimi pas diagnostikimit me çrregullim bipolar dhe trajtimit për bulimi, tha se vendimi për të folur publikisht ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme dhe e vështirë.
“Kur shkova për herë të parë në trajtim, kisha pasur një shpërthim publik kur isha 18 vjeçe. Menaxheri im më pyeti: ‘Do të jesh e hapur për atë që po kalon, apo do ta fshehësh?’ Nuk i detyrohesh askujt asgjë,” rrëfeu ajo në podcastin Las Culturistas, sipas FemaleFirst.
Lovato vendosi të fliste hapur, duke besuar se sinqeriteti i saj mund të ndihmonte të tjerët që përballeshin me sfida të ngjashme.
“Ishte një përgjegjësi që kisha dëshirë ta merrja. Do të kisha dashur që dikush të ishte kaq i hapur kur isha adoleshente. Po, kishte figura që flisnin për çrregullimet e të ngrënit, por askush me të cilën mund të identifikoja në moshën 13-vjeçare, sidomos në një kohë kur standardet e bukurisë ishin shumë të rrezikshme,” shtoi ajo.
Ylli theksoi se ky vendim i hershëm ka ndikuar në mënyrën se si ka jetuar më pas: “Ky ishte momenti që më ndryshoi rrugën. Vendosa se dua t’i ndihmoj njerëzit, dhe mënyra më e mirë që njoh është të ndaj përvojën time personale me ta.”
Së fundi, Lovato tregoi se jeta e saj ka marrë një kthesë më të qetë dhe më pozitive.
“Nuk jam më në një periudhë ku më duhen balada të mëdha emocionale. Toni i jetës sime është bërë më i lehtë,” tha ajo për PAPER Magazine. /A.Z/UBT News/