Varianti delta i koronavirusit ia ka kaluar të gjitha varianteve të tjera të Covid-it, kështu deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Më pak se 1% ka mbetur aktualisht në qarkullim nga variantet alfa, beta dhe gama. Është vërtet “Delta” që dominon në të gjithë botën“, tha Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike për COVID-19 në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Sipas Van Kerkhove, delta është aq i transmetueshëm sa që ka zëvendësuar variantet e tjera që qarkullojnë në të gjithë botën. Qindra njerëz demonstruan të martën në qytetin e dytë më të madh të Australisë kundër kufizimeve të koronavirusit që qeveria vendosi për industrinë e ndërtimit.
Zyrtarët njoftuan se kantieret e ndërtimit në Melburn do të mbyllen për dy javë mes shqetësimeve se lëvizja e punëtorëve po kontribuonte në përhapjen e COVID-19.
Punëtorët e ndërtimit gjithashtu tani kërkohet të kenë marrë të paktën një dozë të vaksinës së koronavirusit para se të lejohen të kthehen në punë.
Shteti Victoria, ku ndodhet Melburni, raportoi 603 raste të reja të martën, niveli më i lartë deri më tani i infektimeve ditore gjatë këtij viti. Në Zelandën e Re, kryeministrja Jacinda Ardern njoftoi të martën se gjobat për shkeljen e protokolleve të koronavirusit do të rriten duke filluar në nëntor. Bizneset që shkelin kufizimet e koronavirusit mund të përballen me gjoba deri në 10.500 dollarë.
Ndërkohë, guvernatori Jay Inslee, i shtetit perëndimor të Uashingtonit, i kërkoi qeverisë federale ndihmë që të përballohet ngarkesa e spitaleve, pasi varianti delta ka shkaktuar një numër të madh infektimesh./tch