UBT News

Deliu-Kodra: Njerëz në institucione publike me bekimin e kriminelit Radojçiq

Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se me bekimin e Milan Radojçiqit, Qeveria po emëron zyrtarë që cenojnë shtetin. Kjo parti opozitare teksa komentoi emërimin e djalit të Radoica Radomiroviq, i cili ishte ushtar serb deri vonë në Rashkë, theksoi se kjo aferë ka implikime direkte në karakterin e shtetit. Në konferencë për media, u prezantua një baner me tri personazhe serbe, që sipas tyre janë vlerësuar nga Qeveria Kurti. Po ashtu u kërkua nga organet ligjzbatuese të hetohet secila veprimtari e protagonistëve të aferës “Zdravo”.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra ka përmendur emrin e Oliver Ivanoviqit, Millan Radojçiqit dhe Radoica Radomiroviq, ku tha se të njëjtit po vlerësohen nga Qeveria.

“Dje mediat raportuan edhe për një aderim të ri në institucionet e udhëhequra nga pushteti. Lulëzim Hetimi, kryetar i Leposaviqit nga LVV ka emëruar drejtor të birin e Radoica Radomiroviq, Nikolla Radomiroviq ushtar i ushtrisë serbe deri vonë në Rashkë. Prandaj, siç po e shihni tashmë afera ‘Zdravo’, nuk është thjeshtë një aferë e simpatisë në mes të Listës Serbe dhe të Albin Kurtit. Por, është një aferë që ka implikime direkte në shoqërinë tonë dhe në shtetin tonë dhe mbi të gjitha në vet karakterin e shtetit tonë”, tha ajo.

Ajo përmendi edhe audio-incizimet mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, ku tha se duhet të jenë të shqetësuar edhe qytetarët e Kosovës.

“U pa qartë që koordinimi në mes të Albin Kurtit dhe kriminelit Radojçiq është shumë më i thellë, është koordinim shumë i fortë se sa përpjekjet idioteske të koalicionit ‘Zdravo’ për ta minimizuar atë. Mësuam se takimet dhe komunikimet e Mimoza Kusari-Lilës, për llogari të Albin Kurtit, me kriminelin dhe të kërkuarin nga drejtësia jonë, protagonistin e listës së zezë të ShBA-ve dhe të Mbretërisë së Bashkuar, Millan Radojçiq, kishin qenë takime të rregullta, takime të njëpasnjëshme, jo njëherë, jo dy herë, jo pesë herë, por me dhjetëra herë. Kjo është ana që e cenon karakterin e shtetit dhe institucioneve tona publike, ku një koalicion i udhëhequr nga Albin Kurti e bën punën deri aty sa krerët e institucioneve të takohen e të koordinohen me kriminelë të kërkuar nga drejtësia”, shtoi Deliu-Kodra.

Më tej, deputetja e PDK-së para gazetarëve shtoi se “Qeveria Zdravo” ka zgjedhur njerëz në institucione publike me bekimin e kriminelit Radojçiq.

“U pa qartë që ‘Qeveria Zdravo’ ka zgjedhur njerëz në institucione publike me bekimin e kriminelit Radojçiq. Tash është shumë me rëndësi të dihet se kush janë ata persona për të cilët Radojçiq ka pasur votë. Në këtë banerë, i kemi vetëm tre prej tyre të cilët në njëfarë mënyre janë vlerësuar nga kjo qeveri. Pra, kush janë të tjerët që ky kryeministër dhe kjo qeveri i ka emëruar në pozicione të ndryshme me urdhrin e Radojçiq. A janë në krye të policisë, a janë ata në krye të drejtësisë, a janë ata në krye të organeve të pavarura, të agjencive ligj zbatuese? Pse Radojçiq ka pasur votë për ata njerëz, mbi çfarë motivesh dhe mbi çfarë interesash janë mbështetur ata njerëz? Kujt i raportojnë sot, i raportojnë ligjit apo Radojçiqit dhe qeverisë Zdravo”, theksoi ajo.

Ajo deklaroi se protagonistja e “Aferës Zdravo”, Mimoza Kusari Lila ka mundësi të jetë edhe protagoniste e shumë përgjimeve të tjera për të cilat ka paralajmëruar Simiq.

“Kërkojmë nga organet ligj-zbatuese të hetojnë secilën veprimtari të protagonistëve të ‘Aferës Zdravo’. Mbi të gjitha ajo që kërkojmë sot, kërkojmë nga organet e sigurisë që të sigurohen që përgjegjësit në krye të institucioneve publike, ata që janë emëruar nga Albin Kurti me bekimin e Radojçiqit të mos jenë duke kryer nga akt antikombëtar, antishtetëror për interesat kombëtare të Serbisë në Kosovë. Të cilat interesa sot fatkeqësisht mbrohen e realizohen përmes Albin Kurtit, përmes Mimoza Kusari Lilës e përmes Millan Radojçiq”, shtoi ajo.

Ajo përsëriti edhe kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme, ku theksoi se qytetarët duhet të ndalin “rrugën e turpit”.

“Kërkojmë zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që qytetarët ta ndalin rrugën e turpit, rrugën e degradimit, ta ndalin rrugën e shthurjes që po bën ‘Qeveria Zdravo’, tash e gati tre vjet. Kërkesa kryesore e PDK-së sot është që të bëjmë përpjekje që të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme për të ndalur këtë koordinim të turpshëm, për të ndalur këtë degradim të shtetit, për të ndalur këtë cenim të interesave shtetëror e kombëtar dhe këtë influencë të Radojçiqit dhe koordinim të kriminelëve serbë”, përfundoi ajo.

Exit mobile version