UBT News

Deliu-Kodra: Ambasadori Berishaj duhet të shkarkohet sa më parë

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj duhet të shkarkohet sa më parë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra ka thënë se mosshkarkimi i tij paraqet standard të dyfishtë dhe sipas saj Qeveria po e mbron atë.

Deputetja e PDK-së ka thënë se shkarkimi i tij nuk do të duhej të diskutohej por të vendosej sa më parë dhe pastaj drejtësia të thotë fjalën e saj.

“Ambasadori Berishaj duhet të shkarkohet e më pas drejtësia do ta thotë fjalën e vet. Qeveria dhe Presidenca nuk janë as gjykatës, nuk janë as prokurorë, ata duhet të marrin hapa institucionalë e politikë duke shkarkuar menjëherë ambasadorin Martin Berishaj nga funksioni i tij si ambasador. Zoti Berishaj pas këtij skandali nuk do të jetë në gjendje më ta ushtrojë detyrën e tij dhe fatkeqësisht me skandalin e tij tashmë u ka vështirësuar punën edhe ambasadorëve të cilët janë në vendet fqinje, mbështetja e të cilëve është e domosdoshme për arritjen e synimeve tona për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Prandaj kolegë deputetë shkarkimi as që do të duhej të diskutohej”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se duhet të qartësohet edhe si e ka marrë shtetësinë e tij Berishaj një ditë para se bëhej ambasador dhe se a është verifikuar nga AKI.

“Mosshkakrimi i tij paraqet njëkohësisht edhe një standard të dyfishtë nga kjo qeveri, pra e mbrojnë nuk e shkarkojnë një diplomat i cili pavarësisht nga skandali që u publikua nga mediat sllovene të pakën është dashur të shkarkohet për shkak të mos deklarimit të pasurisë dhe deklarimit të rremë të pasurisë, ndërsa janë shkarkuar diplomatë vetëm pse kanë shprehur një qëndrim të tyre publik në rrjetet e tyre sociale”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ajo ka theksuar se ngjarje të tilla dëmtojnë Kosovën në veçanti në periudhën kur ka mundësi reale për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Exit mobile version