Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka deklaruar se deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje po e lypin edhe “birën e miut” siç tha për t’i ikur skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë Kurti.
Ajo tha se kapoja siç e quajti “të gjithë këtë strukturë të kalbur kriminale”, është kryeministri Albin Kurti.
“Kapoja e të gjithë kësaj strukture të kalbur është kryeministri Albin Kurti. Sikur deputetët e tij, tash që janë duke lyp edhe birën e miut me ikë po ikë edhe kryeministri. Të gjithë po e shohim mbretin, ashtu siç është në të vërtet, bash cullak”, tha Deliu.
Deputetja opozitare në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për ambalazhuesit e ujit, tha se si është e mundur që një zyrtar me pagë mujore 732 euro të ketë qarkullim rreth 400 mijë eurosh.
“Si ka mundësi që dikush që e ka rrogën 732 euro në ministri t’i qarkullojë rreth 400 mijë euro brenda 1 viti. I njëjti i ka deponuar 100 mijë euro vetëm përmes bankomatit. Si është e mundur që inteligjencës financiare t’i ikë një rast si ky”, theksoi Deliu.