UBT News

Delegacioni izraelit në Katar për bisedimet mbi armëpushimin në Gazë

Ekipi negociator i Izraelit u nis të hënën për në Katar për bisedime që synojnë zgjatjen e armëpushimit në Gazë, pasi autoritetet ndërprenë furnizimin me energji elektrike të territorit palestinez për të rritur presionin ndaj Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Para nisjes së negociatave, Izraeli shkëputi linjën e vetme të energjisë elektrike që furnizon një impiant të ujit të pijshëm në Gazë, një lëvizje që Hamasi e dënoi si “shantazh të ulët dhe të papranueshëm”.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfundoi më 1 mars pa asnjë marrëveshje për fazat pasuese, që synojnë një fund të qëndrueshëm të luftës që shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Por, mes dy palëve ka dallime mbi kushtet për vazhdimin e marrëveshjes: Hamasi kërkon negociata të menjëhershme për fazën e ardhshme, ndërsa Izraeli preferon të zgjasë fazën e parë.

Hamasi akuzoi Izraelin se po shkel marrëveshjen e armëpushimit, duke thënë në një deklaratë të hënën se Izraeli “refuzon të nisë fazën e dytë, duke zbuluar synimet e tij për të shmangur dhe vonuar procesin”.

Një zyrtar izraelit i njohur me negociatat i tha AFP-së se delegacioni izraelit ishte nisur për në Doha. Raportet e mediave thanë se delegacioni drejtohej nga një zyrtar i lartë i agjencisë së sigurisë së brendshme, Shin Bet.

Izraeli ka ndaluar dërgesat e ndihmave për Gazën në mes të ngërçit dhe njoftoi të dielën se do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike.

Ne do të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të kthyer pengjet dhe për t’u siguruar që Hamasi të mos jetë më në Gazë pas përfundimit të luftës”, tha ministri i Energjisë, Eli Cohen.

Ky veprim rikujton ditët e para të luftës, kur Izraeli shpalli një “bllokadë të plotë” mbi territorin palestinez, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike, i cili filloi të rikthehej vetëm në fund të vitit 2024.

Zëdhënësi i Hamasit, Abdul Latif al-Qanoua, tha se lëvizja e Izraelit do të ndikojë te pengjet që ende mbahen në Gaza.

Vendimi për të ndërprerë energjinë elektrike është një opsion i dështuar dhe paraqet një kërcënim për të burgosurit e tij, të cilët do të lirohen vetëm përmes negociatave”, tha Qanoua në një deklaratë të hënën.

Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimin për vendimin e fundit të Izraelit.

Kjo lëvizje do të zvogëlojë ndjeshëm disponueshmërinë e ujit të pijshëm në Rripin e Gazës, duke filluar nga sot”, tha Stephane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Rikthimi i kësaj lidhjeje është jetik për dhjetëra mijëra familje dhe fëmijë”, shtoi ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Kathrin Deschauer, tha se ndërprerja e energjisë elektrike ishte “e papranueshme dhe nuk përputhet me detyrimet e Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar”.

Por, aleati kryesor ushtarak i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, duket se e mbështeti këtë vendim.

“Izraelitët do të bëjnë atë që besojnë se është në interesin e tyre për të detyruar Hamasin të marrë një vendim”, u tha gazetarëve sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Linja e vetme e energjisë midis Izraelit dhe Gazës furnizon impiantin kryesor të ujit të pijshëm të territorit, dhe tashmë banorët e Gazës mbështeten kryesisht në panele diellore dhe gjeneratorë me karburant për të prodhuar energji elektrike.

Banorët e Gazës i thanë AFP-së se ndërprerja e energjisë elektrike do të përkeqësojë edhe më shumë situatën e tyre.

Vendimi për të ndërprerë energjinë elektrike është një dëshmi e një lufte shfarosëse”, tha Dina al-Sayigh nga Gaza City.

Okupimi nuk pushon së vrari civilët palestinezë, qoftë përmes bombardimeve, raketave apo urisë”, shtoi ajo.

Hamasi ka kërkuar vazhdimisht që faza e dytë e armëpushimit e ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të përfshijë një shkëmbim të plotë të pengjeve me të burgosurit, një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza, një armëpushim të përhershëm dhe rihapjen e pikave kufitare për t’i dhënë fund bllokadës.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, i tha AFP-së se grupi kërkon që ndërmjetësuesit të sigurojnë që Izraeli “të respektojë marrëveshjen… dhe të vazhdojë me fazën e dytë sipas kushteve të dakorduara”.

Exit mobile version