Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori, z. Ahmet Ismaili dhe i përbërë nga anëtarët jo-ekzekutivë të Bordit, Nurboja, znj. Latifi dhe znj. Hoxha, mori pjesë në një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Maltës.
Në takimin hyrës, delegacioni i BQK-së u prit nga u.d. Guvernatori i Bankës Qendrore të Maltës, Alexander Demarco, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Bonello, Kryeekonomisti Grech, Shefi i Operacioneve Romano dhe anëtari jo-ekzekutiv i Bordit, profesor Bezzina.
“Gjatë takimit, guvernatorët e të dy bankave qendrore shkëmbyen informacione rreth zhvillimeve kryesore në sektorin financiar dhe në ekonomi. Guvernatori Ismaili e informoi Guvernatorin Demarco për zhvillimet në kornizën ligjore dhe atë rregullative, projektet strategjike të BQK-së, si dhe për qëndrueshmërinë e sistemit financiar të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të dy delegacionet diskutuan kryesisht mbi qeverisjen dhe auditimin, menaxhimin e rrezikut, sistemin e pagesave dhe përgatitjet e duhura për anëtarësim në SEPA, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe kërkimet shkencore, ndër të tjera.
Në përfundim të vizitës, palët rikonfirmuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve, ku BQK-ja ka për synim zgjerimin e rrjetit të bankave qendrore partnere si pjesëmarrëse në Eurosistem, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare dhe në fusha të tjera të bashkëpunimit.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen e thellë për Bankën Qendrore të Maltës për mikpritjen edhe organizimin.