Ministria e Jashtme e Turqisë njoftoi se delegacionet e Suedisë dhe Finlandës do të vizitojnë sot Turqinë për konsultime lidhur me aplikimet e tyre për anëtarësim në NATO.
Sipas njoftimit të ministrisë, delegacionet suedeze dhe finlandeze të kryesuara nga sekretari i Shtetit i Zyrës së Kryeministrisë së Suedisë, Oscar Stenstrom dhe nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Jukka Salovaara, do të vizitojnë sot Ankaranë, raporton atsh.
Delegacioni turk i kryesuar nga zëdhënësi presidencial, ambasadori Ibrahim Kalin dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sedat Onal dhe delegacionet e kryesuara nga Stenstrom dhe Salovaara do të zhvillojnë konsultime lidhur me aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.