Libri më i vjetër fetar i krishterimit, sipas shtëpisë së ankandit Christie’s, do të dalë në shitje në qershor. Kodiku “Crosby-Schøyen”, i shkruar në papirus në Egjipt, daton midis viteve 250-350 pas Krishtit.
Mendohet të jetë një nga librat më të vjetër që ekziston e madje mund të shitet deri në 3.8 milionë dollarë (3.4 milionë euro). Libri liturgjik është prodhuar në një nga manastiret e para të krishtera dhe përmban tekstet e plota të dy librave të Biblës.
Teksti ka “rëndësi monumentale si dëshmi e përhapjes më të hershme të krishterimit rreth Mesdheut”, tha Eugenio Donadoni, specialist i lartë për libra dhe dorëshkrime në Christies. “Murgjit më të hershëm në Egjiptin e Epërm në manastirin më të hershëm të krishterë po përdornin pikërisht këtë libër për të festuar festat më të hershme të Pashkëve, vetëm disa qindra vjet pas Krishtit dhe vetëm njëqind vjet pas shkrimit të Ungjillit të fundit.”
Libri është pjesë e Papirusit Bodmer, përmbledhje e teksteve që u zbuluan në vitet 1950, përfshin shkrime të krishtera, ekstrakte biblike dhe literaturë pagane.
Libri është një nga tekstet më të vjetra në botë, thotë shtëpia e ankandeve. Ruajtja e tij i është atribuuar klimës së thatë të Egjiptit, tha Donadoni.
Kodiku u ble nga Universiteti i Misisipit ku mbeti deri më 1981 dhe u ble disa herë para se të blihej nga koleksionisti norvegjez i dorëshkrimeve Martin Schoyen në 1988. Schoyen po nxjerr në ankand dorëshkrimin së bashku me pjesë tjera nga koleksioni i tij, që është një nga arkivat më të mëdha të dorëshkrimeve në botë. Kodiku është i ekspozuar në Christie’s New York dhe do të qëndrojë atje deri më 9 prill. Ai do të del në ankand më 11 qershor në Londër. /UBT News/