Në Departamentin për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, Lulëzim Fejzullahu kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Prokuroria rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.
Pas seancës që u zhvillua e mbyllur për media, avokati i palës së dëmtuar, Tomë Gashi, ka thënë se një dëshmitar është dëgjuar ndërsa tjetri ka mbetur për seancën e radhës. Ai ka bërë të ditur se seancat e radhës pritet të mbahen më 15 dhe 16 prill.
“Seanca është e tipit të mbyllur ne mundemi me iu thënë se është vazhdimi sipas propozimit të Gjykatës Themelore për shqiptimin e vendimit dhe Gjykata ka urdhëruar që detajet e gjykimit të mos shpalosen. Seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill të këtij viti ndërsa nuk është e ndaluar me iu tregu se kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje ndërsa tjetri në mungesë të asaj se ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetur për seancën e radhës”, Tomë Gashi.
Ndërsa xhaxhai i të ndjerit Lulëzim Fejzullahu, Rrahim Fejzullahu ka thënë shkurt se i beson drejtësisë.
“Unë i besoj drejtësisë dhe vetëm drejtësisë”, është shprehur Fejzullahu.
Nga ana tjetër avokati i të akuzuarve, Skender Musa ka thënë se çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar që flitet në publik dhe se gjendja është përcjellë nga ana e psikologut ndaj dy të miturve.
“Çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar është marrë aktvendim. Gjendja është përcjellë nga ana e psikologut ndaj dy të miturve”, ka thënë Musa.