Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve për luftën në Ukrainë, zhvilluar në kryeqytetin saudit, Riad. Takimi, që zgjati rreth 12 orë, u mbajt me dyer të mbyllura në hotelin “Ritz Carlton” dhe u përqendrua në sigurimin e një armëpushimi si hapi i parë drejt përfundimit të luftës 3-vjeçare në Ukrainë.
Sipas raportimeve të agjencive shtetërore ruse, TASS dhe “Ria Novosti”, deklarata e përbashkët do të publikohet më 25 mars, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e saj. Bisedimet ishin udhëhequr nga Grigory Karasin, kreu i komitetit të Punëve të Jashtme në Këshillin e Federatës Ruse, dhe Sergej Beseda, një zyrtar i lartë i inteligjencës dhe një nga besnikët më të ngushtë të presidentit Vladimir Putin.
Ky takim është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për konfliktin që ka tronditur Ukrainën dhe ka shkaktuar tensione të mëdha ndërkombëtare./UBTNews/