Dhomave të Specializuara në Hagë ka njoftuar se më 9 deri më 13 dhe më 16 dhe 18 shkurt, do të paraqiten para gjykatës deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30.
“Rendi i ditës më poshtë buron nga Njoftimi i Trupit Gjykues në lidhje me Mbylljen e Procedurës së Paraqitjes së Provave i datës 18 dhjetor 2025. Ky rend dite bazohet në vlerësimet aktuale dhe mund të ndryshojë, për shembull nëse një palë ka nevojë për më pak kohë seç mendohej. E hënë, 9 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Prokurorisë. E martë, 10 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Prokurorisë; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Viktimave. E mërkurë, 11 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Veselit. E enjte, 12 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Veselit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit. E premte: 13 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Krasniqit. E hënë, 16 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Krasniqit; pyetje të mundshme nga Trupi Gjykues. E mërkurë, 18 shkurt: Përgjigje nga palët dhe deklarata nga të akuzuarit”, thuhet në njoftim.
Historiku i çështjes
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje.
Secili prej të akuzuarve akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për gjashtë akuza që lidhen me krime lufte.
Në aktakuzë thuhet se krimet për të cilat janë ngritur akuza janë kryer nga të paktën marsi deri në shtator 1999 dhe kanë ndodhur në disa vende në Kosovë dhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë.
Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave që përfaqëson 155 viktima pjesëmarrëse, paraqiti provat e saj në korrik 2025, dhe Mbrojtja e Thaçit dhe Mbrojtja e Krasniqit paraqitën provat e tyre nga shtatori deri në dhjetor 2025. Trupi Gjykues mbylli procedurën e paraqitjes së provave më 19 dhjetor 2025. Në këtë çështje, 134 dëshmitarë kanë dhanë dëshmi në gjykatë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga Mbrojtja. Gjithashtu, 164 deklarata dëshmitarësh u pranuan vetëm në formë të shkruar.
Pas deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do të vijojë me kuvendimet për nxjerrjen e aktgjykimit. Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh nga mbyllja e paraqitjes së provave. Në rast se për shkak të rrethanave kërkohet kohë shtesë, ky afat mund të zgjatet me 60 ditë të tjera.
Data dhe ora e gjithë seancave publike të planifikuara mund të gjendet në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit të DHSK-së. Ndryshimet e mundshme të seancave të planifikuara të përshkruara në këtë informim do të pasqyrohen në kalendar.
