Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka folur rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai tha se marrëveshja me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër, ndërsa është përgjigjur edhe rreth “dakordimit për të implementuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë”.
Derisa Lajçak ka thënë se me kryeministrin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, janë dakorduar për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më parë, Kurti tha se marrëveshja e Asociacionit të komunave serbe është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe ashtu siç është nënshkruar më datën 19 prill 2013, e më pastaj edhe i elaboruar në shtatë kapituj, me nënshkrimin e 25 gushtit 2015, të theksohet më shumë. Por, ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar tekstin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, në një mënyrë, mund të themi që ajo marrëveshje një mend është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Tash procesi negociator do të duhej që të na shpije përpara. E respektoj konidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoi që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet në propozimin e Bashkimit Evropian kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje”, tha ai.
Ndërsa emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, janë pajtuar që “të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe ZKM Besnik Bislimin për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar ai pas takimit me Kurtin dhe Bislimin.
Ndërkohë, kreu i ekzekutivit foli edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, për çka përsëriti se duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.
“Diplomacia fluturuese i është bashkëngjitur takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali ne preambulë dhe dhjetë nen gjithsejtë. Kur e patëm marrë ne atë me datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është një kornizë e platformë, e cila na mundëson të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator I bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshje tjetër. Pra, nuk ekziston hierarkia e atyre marrëveshjeve. Ato 33 marrëveshje janë të vendosura në një rrafsh horizontal. Ndërkaq, në anën tjetër këto dhjetë nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sjellët I pari si parakusht. Kështu që mos ta harrojmë asnjë herë që marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Kurti.