UBT News

Deklarata e Kurtit për miqësinë me SHBA-në shihet e pasinqertë. Raportet Kosovë – SHBA shihen të rrezikuara

Vendimi i Bankës Qëndrore të Kosovës, për përdorimin e dinarit serb, zgjoi reagime të shumta. Në bazë të rregullores së BQK-së dinari serb nuk mund të përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Vendimi i kësaj të fundit, ndër të tjera ka shtyrë edhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier që përmes një konference për media të dalë dhe të sqarojë qëndrimin e SHBA-së. Madje sipas Hovenierit dinari serb ka prekur raport Kosovë – SHBA.

Pas kësaj deklarate të ambasadorit amerikan, ka folur kryeministri Albin Kurti, duke thënë se me SHBA-në kanë raporte shumë të mira, por që nuk do të thotë që pajtohen për çdo gjë.

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Asdren Shala shprehet se Kurti është i pasinqert dhe se si asnjëherë më parë marrëdheniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë të rrezikuara.

“Raporti amerikan në prapaskenën e marrëdhënieve Kosovë-Amerikë nuk janë më të mirat të mundshme, madje mund të themi lirisht se janë më të fundosura dhe rrezikuara ndonjëherë në historinë e shqiptarëve, përgjithësi të Kosovës”, deklaroi ai.

Shqetësuese raportin aktual të qeverisë me SHBA-në e sheh edhe profesoresha universitare Shqipe Mjekiqi.

“Unë mendoj që strategjia dhe ky mesi i artë është bashkërendimi me SHBA-në dhe me aleatët tjerë për mënyrën se si të jetë më i lehtë ky tranzicion. Të gjithë jemi për shtrirjen e plotë të kushtetuteshmërisë dhe të respektimit të ligjeve në gjithë territorin e Kosovës. Janë disa vendime të cilat do t’i përcaktonte qartë kushtetuta dhe nuk besoj qe ka hamendësime sa i përket zbatimit dhe nevojës së zbatimit të këtyre vendimeve”, deklaroi Mjekiqi.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila u publikua më 17 janar dhe hyri në fuqi më 1 shkurt, e bën euron valutë të vetme për pagesa në Kosovë./UBTNews/

Realizoi: Dea Berisha

Exit mobile version