Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Hajdi Xhixha, mori pjesë në prezantimin e librit “Zbarkimet shqiptare në Itali në fillim të viteve ’90: Histori jete” (Memoria, migrazione e libertà: Gli sbarchi albanesi in Italia nei primi anni Novanta), të autorit Mario Calivà, një ngjarje e mbajtur në Villa Ardizzone.
Gjatë diskutimit, Prof. Xhixha ndau një perspektivë personale dhe akademike mbi emigracionin shqiptar të viteve ’90, duke theksuar dimensionin njerëzor të këtyre ngjarjeve.
“Për mua, si shqiptare, kjo nuk është vetëm histori, por jetë. Pas çdo imazhi që kemi parë ndër vite qëndrojnë njerëz realë dhe histori të mbushura me sakrificë dhe shpresë”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se emigrimi i shqiptarëve drejt Italisë përfaqësonte një kërkim për liri dhe dinjitet, ndërsa Italia për shumë shqiptarë ishte një dritare drejt botës dhe një lidhje e rëndësishme kulturore.
Pjesëmarrja e saj në këtë aktivitet nënvizon angazhimin e UBT-së në diskutime akademike ndërkombëtare dhe në trajtimin e temave me rëndësi historike dhe shoqërore.
