UBT News

Dëgjimi me vetëm një kufje, një zakon i rrezikshëm për shëndetin e veshëve

Shumë njerëz zgjedhin të vendosin vetëm një kufje për të dëgjuar muzikë apo biseda, në mënyrë që me veshin tjetër të ndjekin çfarë ndodh përreth.

Por sipas ekspertëve, ky zakon mund të ketë pasoja serioze për dëgjimin dhe shëndetin e trurit.

Dëgjimi njëanësor prish ekuilibrin natyral të trurit

Studime të kryera në Universitetin e Harvardit dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit të SHBA tregojnë se veshët funksionojnë në sinkron.

Kur dëgjojmë vetëm me një vesh, ky balanc pritet, e truri duhet të punojë më shumë për të përpunuar tingujt. Si pasojë, shfaqen lodhje mendore, ulje e ndjeshmërisë dëgjimore dhe vështirësi në përcaktimin e drejtimit të zërit.

Grupet më të rrezikuara

Më të ekspozuar ndaj këtij problemi janë ata që përdorin kufje çdo ditë, si operatorët e qendrave të thirrjeve apo personat që dëgjojnë gjatë në një anë për shkak të vozitjes ose zakoneve të punës. Përdorimi i vetëm një kufjeje, e detyron trurin të kompensojë mungesën e informacionit auditiv nga ana tjetër – gjë që me kalimin e kohës mund të dëmtojë sistemin dëgjimor.

Truri është projektuar për dëgjim “stereofonik”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, truri ynë është ndërtuar për të perceptuar tingujt me të dy veshët njëkohësisht. Ky perceptim ndihmon në vlerësimin e distancës, drejtimit dhe intensitetit të zërit. Kur një vesh mbingarkohet, krijohet gjendje jo natyrale për sistemin nervor, e cila çon në simptoma si zhurmë konstante në vesh. ndjesi presioni, mjegullim dëgjimi apo edhe shurdhim të pjesshëm.

Veshët nuk funksionojnë si dy njësi të ndara, nëse njëri dëmtohet, edhe tjetri ndikohet automatikisht. Një raport i National Institute on Deafness and Other Communication Disorders tregon se dëgjimi i njëanshëm për 9-12 muaj mund të çojë në asimetri dëgjimore.

Efekte edhe mbi lëkurën e kokës

Dermatologët paralajmërojnë se kufjet e mëdha me jastëkë të ngushtë ose plastike mund të shkaktojnë irritim të lëkurës dhe rrallim lokal të flokëve për shkak të presionit dhe mungesës së ajrosjes. Rekomandohet ndryshimi periodik i pozicionit të kufjeve dhe kontrolli i lëkurës për shenja skuqjeje apo djegieje.

Të rinjtë – më të ndjeshëm ndaj dëmtimit

Fëmijët janë më të rrezikuar nga dëmtimi i dëgjimit për shkak të përdorimit të tepërt të kufjeve. OBSH vlerëson se mbi 1 miliard të rinj në botë rrezikojnë humbje të dëgjimit. Sipas CDC, 1 në 8 fëmijë të moshës 6–19 vjeç ka dëmtime të lehta nga ekspozimi i tepërt ndaj zërit.

Sa është niveli i sigurt i zërit?

OBSH dhe Agjencia Evropiane për Sigurinë e Punës rekomandojnë që volumi të mos kalojë 80 decibel (dB) për dëgjim afatgjatë. Tingujt mbi 100 dB mund të dëmtojnë qelizat e veshit të brendshëm brenda pak minutash.

Si të mbroni dëgjimin tuaj?

Përdorni gjithmonë të dy kufjet, për të ruajtur balancën natyrale të dëgjimit.

Mbajeni volumin nën 60% të kapacitetit të pajisjes.

Bëni pushime çdo 60 minuta dëgjimi.

Zgjidhni kufje që izolojnë zhurmën e jashtme, për të shmangur ngritjen e volumit.

Aktivizoni opsionin e kufizimit automatik të volumit, kur është i disponueshëm.

OBSH propozon rregullin “60/60” – maksimum 60 minuta dëgjim në ditë me 60% të volumit.

Dëgjimi është dhuratë e çmuar, por edhe delikate. Dëmtimet e tij janë shpesh të pakthyeshme. Kujdesi i përditshëm e shmangia e dëgjimit me vetëm një kufje janë hapa të thjeshtë, për të ruajtur shëndetin e veshëve dhe ekuilibrin e trurit për një kohë të gjatë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version