UBT News

“Defender 23”, në Kosovë organizohet Dita e Vizitorëve

Në Kosovë po zhvillohet ushtrimi më i madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe ‘23”. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se me 30 maj do të organizohet Dita e Vizitorëve të Shquar.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, dhe nga vendet partnere, pritet të jenë pjesë e kësaj ditë në kuadër të ushtrimit që po zhvillohet në Babaj të Bokës.

Vizita do të zhvillohet në Aeroportin e Gjakovës pastaj do të lëvizin për në Babaj të Bokës.

Gjithashtu, mediat do të mund të filmojnë pjesë nga aktivitetet ushtarake.

“Defender 23” në Kosovë ka nisur më 21 maj, ushtrim ky që udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

Gjatë këtij ushtrimi do të validohen kapacitetet e këmbësorisë së FSK-së, atij të regjimentit të parë.

Kosova ka qenë nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2021 por sivjet Forca ka pjesëmarrje më të madhe, me mbi 1300 pjesëtarë.

Ndërsa janë mbi 300 pjesëtarë të njësive partnere që kanë zbarkuar bashkë me FSK-në në Babaj të Bokës-vendi ku po zhvillohet ushtrimi.

Pjesë e “Defender Europe 23” janë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa ushtarak.

Exit mobile version