Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ka thënë se blloku mund të “nxjerrë mësime” nga politika e kontestuar italiane e shqyrtimit të emigrantëve në det të hapur në Shqipëri, përpara një samiti të BE-së me fokus migracionin.
Ajo i bëri këto komente në një letër drejtuar vendeve anëtare përpara takimit në Bruksel të enjten dhe të premten, ku tha se Komisioni Evropian do të paraqiste një propozim të ri për legjislacionin për rritjen e dëbimeve të emigrantëve.
Von der Leyen, e cila sapo po fillon mandatin e dytë pesëvjeçar si shefe e Komisionit Evropian duket se po i përgjigjet presionit mbi migrimin nga e gjithë Evropa.
Në letrën e saj drejtuar vendeve anëtare, ajo tha se shkalla e kthimit të migrantëve të parregullt nga vendet e BE-së është aktualisht vetëm rreth 20% – që do të thotë se shumica dërrmuese e njerëzve që janë urdhëruar të largohen nga një shtet anëtar i BE-së nuk e bëjnë këtë.
“Shumë thjesht qëndrojnë në vend ose lëvizin në një vend tjetër brenda bllokut,” tha ajo.
Shtetet anëtare duhet të njohin të gjitha vendimet e marra nga vendet e tjera të BE-së për të siguruar që “migrantët që kanë një vendim kthimi kundër tyre në një vend nuk mund të shfrytëzojnë çarjet në sistem për të shmangur kthimin diku tjetër”, shkroi Von der Leyen.
Komentet e saj vijnë pasi Italia nis skemën e saj të shumëpritur, sipas së cilës disa nga emigrantët e shpëtuar në Mesdhe do të dërgohen në Shqipëri për shqyrtim.
Në fillim të kësaj jave, 16 burra me origjinë nga Bangladeshi dhe Egjiptianë u zhvendosën nga zona e emigrantëve në Lampedusa, në brigjet e Siçilisë, në një nga dy qendrat e ndërtuara me qëllim në bregdetin shqiptar, ku do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.
Qendrat, të cilat kushtojnë rreth 650 milionë euro (547 milionë funte), do të hapeshin pranverën e kaluar, por patën vonesa të gjata, janë paguar nga qeveria italiane dhe do të funksionojnë sipas ligjit italian. Aty do të strehohen emigrantët ndërsa Italia shqyrton kërkesat e tyre për azil. Gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat e cenueshëm do të përjashtohen nga plani.
Kundërshtarët politikë të kryeministres italiane të krahut të djathtë Giorgia Meloni si dhe disa OJQ kanë kritikuar marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë.
Riccardo Magi, një deputet me partinë e krahut të majtë +Europa, tha se skema e Shqipërisë ishte “mizore, e padobishme dhe e shtrenjtë”, ndërsa OJQ Mjekët pa Kufij tha se “ka të ngjarë të rezultojë në dëmtime të mëtejshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut”.
Megjithatë, duke iu drejtuar deputetëve të martën, Meloni argumentoi se plani ishte “një rrugë e re, e guximshme, e paprecedentë”, e cila “pasqyronte në mënyrë të përsosur frymën evropiane”./UBTnews/