UBT News

Debati për librat, Nagavci: Qeveritë e kaluara kanë keqpërdoruar miliona euro

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka arsyetuar vendimin për subvencionimin e teksteve shkollore për këtë vit.

Në Kuvendin e Kosovës, Nagavci tha se ky veprim është në kuadër të pakos së reformës për përmirësimin e cilësisë në arsimin para universitar.

Ministrja u shpreh e ashpër edhe ndaj kritikave të opozitës, duke përmendur sipas saj keqpërdorimet që qeveritë e kaluara kanë bërë me sigurimin e librave.

“Dështimit të qeverive të kaluara jo vetëm për mirëqeverisje të procesit, jo vetëm për shpenzime pa asnjë llogari dhe keqpërdorim të qindra miliona euro, por edhe pa asnjë kujdes për cilësinë e teksteve mësimore… Rreth 125 milionë euro për tekste shkollore të cilat kanë përfunduar në stoqe në grumbull të librave dhe fletoreve të punës që janë gjetur në bodrumet e shkollave dhe që kanë mbetur të papërdorura dhe pa asnjë analizë. Në raportet publike dhe raportet e auditorit janë konstatuar se ka teprica në stoqet me tekste që së paku për 1 vit ka qenë vlerë e humbur më shumë se gjysmë milioni euro në stoqe shkollore. Të gjitha tekstet janë dërguar pa analizë dhe është keqpërdorur buxheti”, tha ajo.

Sipas saj për të shmangur këto praktika abuzive kanë marrë vendim për mos blerjen e librave shkollore direkt nga shtëpitë botuese.

“Kjo ka krijuar mundësi që ne të përfundojmë me çmime trefishë madje edhe mbi 100 për qind më shtrenjtë sesa çmimet e teksteve të njëjta në Shqipëri. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të legjislacionit i cili që nga fillimi i miratimit të buxhetit ka qenë i dizajnuar në atë mënyrë që tekstet të shihen si biznes. Ne kemi punuar intensivisht, kemi finalizuar ligjin për tekste mësimore dhe që do të adresojë të gjitha këto parregullsi dhe mbi të gjitha do të mundësojë tekste cilësore…Vendimi i fundit për të subvencionuar prindërit për blerjen e teksteve është një veprim nga pako e reformës për përmirësimin e cilësisë në arsimin para universitar”, tha ajo.

Në anën tjetër, ajo tha se deri tani në asnjë komunë nuk kanë marrë njoftim se ka mungesë apo vështirësi me sigurimin e teksteve shkollore.

“Nga asnjë komunë ne nuk kemi marrë njoftim se kanë mungesë apo vështirësi me tekste. Vetëm javën e kaluar kemi pasur së paku tri vizita në po thuajse të gjitha komunat e Kosovës nuk ka informata që ka mungesë”, deklaroi Nagavci.

Këto deklarata Nagavci i bëri gjatë debatit parlamentar në Kuvendin e Kosovës për çështjen e sigurimit të librave shkollorë.

Exit mobile version