UBT News

Debat i ashpër në KQZ për votat e diasporës

Mbledhja e sotme e Komisionit Qendror Zgjedhor kaloi me debate të ashpra për votat e diasporës. Në këtë mbledhje është kërkuar që të merret vendim për krijimin e një komisioni për përcjelljen e postave nga jashtë Kosovës.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi propozoi krijimin e një komisioni që përcjellë postat që vijnë nga jashtë Kosovës, po ashtu ka kërkuar që të merret vendim që posta të pranohet deri në orën 19:00 më 13 shkurt, 24 orë para përfundimit të afateve të votimit.

“Ne kemi diskutuar në mbledhjen mbrëmshme që të diskutohet për krijimin e një grupi nga KQZ dhe sekretariati ku janë përfaqësuesit e të gjitha partive politike që të përcillet posta që vjen nga jashtë për KQZ-në në çdo hap për të mënjanuar çdo mundësi të zvarritjes dhe të vonesave të postës. E dyta unë propozova dhe isha i qartë që KQZ-ja të merr vendim që posta të pranohet deri në orën 19:00 më 13 shkurt, 24 orë para përfundimit të afateve të votimeve”, tha ai.

Megjithatë edhe pse nuk u miratuan këto propozime, për këtë ka reaguar anëtari tjetër i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti, i cili tha se adresa e fundit është fahu postar me numër 6, dhe sipas tij, nuk është e nevojshme që të krijohet ky komision.

“Fahu postal është ai, dhe çdo votë duhet të shkojë atje. Nuk është rruga ‘Migjeni’, por posta numër 6 Fahu postal. Pikërisht nëse ndodhin këto dhe vijnë në vend të pacaktuar, atëherë mund të ketë probleme”, tha Hamiti.

Edhe kryetarja e Komisionit Valdeta Daka tha se për të krijuar komision nuk ka pasur praktika të tilla në të kaluarën.

“Ska pasur kurrfarë kamioni brenda për brenda KQZ-së, e para. Nuk ka pasur komision që ka pranuar zarfe as që ka bërë verifikim, s’ka pasur asgjë. Me përcjellje të policisë, ajo praktikë ka ekzistuar. Pra, vëzhguesit, policia kanë qenë prezent tek fahu postal. Në KQZ s’kanë ardhur votat kurrë, ato vota kanë shkuar në QNR”, tha ajo.

KQZ në mbledhjen e sotme ka akredituar edhe disa vëzhgues ndërkombëtarë.

Exit mobile version