Aston Martin ka prezantuar modelin e ri DB12 S, i cili i bashkohet linjës së performancës së lartë të markës britanike, përkrah DBX S dhe Vantage S, si pjesë e strategjisë së CEO-s Adrian Hallmark për të ofruar më shumë versione sportive të modeleve ekzistuese.
Modeli DB12 S sjell përmirësime të dukshme në performancë dhe dizajn, duke e bërë edhe më emocionuese përvojën e drejtimit.
Nën kapakun elegant ndodhet motori V8 4.0 litra me dy turbo, i cili tani prodhon 691 kuaj fuqi, duke e bërë makinën të arrijë nga 0 në 100 km/orë për vetëm 3.4 sekonda (3.5 sekonda për versionin Volante). Shpejtësia maksimale arrin 320 km/orë.
Përveç fuqisë së shtuar, DB12 S përfshin frena qeramike karboni standarde, me disqe 16.1 inç përpara dhe 14.2 inç mbrapa, si dhe sistemin e ri të kontrollit të frenimit në kthesa.
Përmirësimet përfshijnë amortizatorët Bilstein DTX, diferencial elektronik të pasmë të avancuar e ngurtësim të shufrave kundër rrotullimit, për një drejtim më të saktë dhe stabilitet të lartë. Në pamje të jashtme, DB12 S dallohet me ndarësin aerodinamik të përparmë me dy elementë, grilat e reja të motorit (me ngjyrë të zezë ose fibra karboni).
Dhe, një spojler të fiksuar të pasmë e katër tuba shkarkimi inox – me mundësi për sistem titaniumi që ofron zë më të fuqishëm dhe peshë më të ulët. Brendësia e makinës kombinon luksin me sportivitetin, duke përfshirë lëkurë premium dhe Alcantara, si dhe një buton metalik rrotullues të kuq në qendër të konsolës – simbol i versionit “S”.
Modeli DB12 S do të jetë i disponueshëm në variantet kupé dhe kabriolet, me porosi që nisin që tani dhe dorëzime të planifikuara për tremujorin e parë të vitit 2026. Çmimi ende nuk është zbuluar, por pritet të jetë mbi 275 mijë dollarë, duke pasur parasysh që versioni bazë DB12 fillon nga 250 mijë dollarë. /A.Z/UBT News/