UBT News

DAVOS – Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në ditën e fundit të tij

Takimi i 55-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror po përfundon sot në Davos të Zvicrës, me 15 seanca finale që do të adresojnë çështje kyçe për zhvillimin global, ekonominë botërore, infrastrukturen digjitale dhe demokracinë.

Në ditën e fundit të samitit, që është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për liderët politikë dhe të biznesit botëror, përfshihen diskutime dhe analizime të thella mbi çështje globale. Dje, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbajti një fjalim nga distanca, duke përmendur një gamë të gjerë temash, përfshirë katër ditët e tij të para në detyrë, inflacionin global, tarifat e mundshme dhe theksimin e sloganit të tij “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri”.

Në seancat e zhvilluara dje, tematikat përfshinin ekonomitë evropiane dhe indiane, pasojat e inflacionit global, ndikimin e ndryshimeve klimatike në Lindjen e Mesme, si dhe rreziqet dhe mundësitë që lidhen me tregtinë dhe tarifat. Gjithashtu, u diskutua mbi sfidat që po kalon bashkëpunimi global dhe fragmentimi që po përjetohet nga dobësimi gradual i këtij bashkëpunimi.

Samiti ka përfshirë gjithsej rreth 220 seanca gjatë katër ditëve të tij, ku folësit kanë ndarë mendimet e tyre mbi politika të ndryshme. Diskutimet kanë përfshirë politikat e reja të SHBA-së, rreziqet që vijnë nga dobësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, transformimet në energjinë e pastër, si dhe ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Takimi përfundon sot me fjalët përmbyllëse të presidentit dhe shefit ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror, Borge Brende, i cili do të vlerësojë rezultatet e këtij samiti dhe do të shprehi angazhimin për të përballuar sfidat që po kalon ekonomia globale.

Ky samit i Davosit ka ofruar një mundësi të rëndësishme për diskutime të hapura dhe bashkëpunim mes liderëve, duke ofruar një platformë për zgjidhje të përbashkëta ndaj problematikave që po prekin mbarë botën./UBTNews/

Exit mobile version