Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka njoftuar se nuk do ta ushtrojë mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, duke i hapur rrugë kandidatëve të tjerë nga lista e partisë.
Në një deklaratë publike drejtuar bashkëluftëtarëve dhe mbështetësve të tij, Haradinaj ka thënë se vendimi është marrë në frymën e kontributit dhe përkushtimit ndaj subjektit politik dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Fjalën e dhënë e mbajta dhe gjithmonë do të jem krah jush! E kam pasur obligim moral që këtë betejë t’ia dhuroj shpërblimin Ardian Gjinit,” ka deklaruar ai.
Haradinaj ka shtuar se ndihet i përmbushur dhe falënderues ndaj votuesve që i kanë dhënë besimin, por theksoi se mandati nuk është qëllimi i tij kryesor.
“Jam dhe do të jem gjithmonë Aleancë, por mandatin si deputet kësaj radhe e lë për t’ju lëshuar vend të tjerëve në listën tonë fantastike,” ka thënë ai, duke uruar Ardian Gjinin për angazhimin e tij politik.
Ai theksoi se do të vazhdojë të mbetet i angazhuar në jetën politike dhe publike, si pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ky vendim pritet të ndikojë në shpërndarjen e mandateve brenda listës së AAK-së në Kuvendin e Kosovës.
