Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Price tha se Shtetet e Bashkuara pajtohen me vlerësimin e Bashkimit Evropian se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës janë shqetësuese.
“Ne pajtohemi me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit janë shqetësuese; ato vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE. Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale. Kjo gjë ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të garantuar paqen dhe stabilitetin. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës, vendosin jetë të pafajshme dhe forcat paqeruajtëse ndërkombëtare në terren, në rrezik të panevojshëm”, deklaroi ai.
Price tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, duhet të zbatojnë marrëveshjet që tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut, dhe kjo përfshin fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe… Përsëri, ne po u bëjmë thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë me angazhimet që kanë nënshkruar përmes procesit të lehtësuar nga BE”, vijoi Price.
Situata në veri të vendit është përkeqësuar pas fillimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e automjeteve me targa RKS për ata qytetarë që posedojnë targat ilegale të Serbisë. Mirëpo, liderët në vend thonë se ky është një kamuflim i Beogradit zyrtar për refuzimin që i ka bërë plani franko-gjerman.