Alexander “Sasha” Kasanof është emëruar Zëvendës Ndihmës Sekretari për Ballkanin Perëndimor si dhe për Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.
Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se ai do të pasojë Gabriel Escobar, i cili e ka mbaruar mandatin e tij.
“Ai ka shërbyer më parë si Asistent Ekzekutiv i ish Nënsekretares për Çështjet Politike Victoria Nuland dhe ushtruese e detyrës së Nënsekretarit për Çështjet Politike John Bass. Sasha ka shërbyer jashtë shtetit në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai mori çmimin James Clement Dunn për ekselencë për punën e tij si Këshilltar Politik në Ambasadën e SHBA-së në Kiev gjatë Revolucionit Maidan dhe pushtimit të mëvonshëm të Rusisë në Ukrainë”.
“Detyrat e Sashës në Uashington përfshijnë: Drejtor i Zyrës së Politikave dhe Programeve Globale në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Zëvendësdrejtor i Stafit të Sekretariatit Ekzekutiv (“Linja”), Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Lindore dhe Zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Kaukazit dhe Konflikteve Rajonale. Ai është i diplomuar në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare dhe Kolegjin Hamilton. Sasha flet frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht”, thuhet në njoftimin e DASh-it./UBTNews/