Qeveria daneze ka arritur një marrëveshje me partitë e tjera të parlamentit për të vendosur kufirin minimal të moshës për përdorimin e mediave sociale në 15 vjeç.
Megjithatë, prindërit do të kenë mundësinë që t’u lejojnë fëmijëve të tyre të regjistrohen në këto platforma që nga mosha 13 vjeç.
Ministria daneze e Çështjeve Digjitale tha se ky legjislacion synon të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë në botën digjitale, duke u dhënë më shumë kohë për pushim, lojëra dhe zhvillim përpara se të krijojnë profile në rrjetet sociale, të cilat mund të mbartin rreziqe të caktuara.
Ende pa detaje për platformat e përfshira
Marrëveshja politike nuk specifikon se kur dhe si do të zbatohet ligji, dhe as se cilat platforma preken. Thuhet vetëm se kufizimet do të vlejnë për platformat më të mëdha ku përdoruesit krijojnë profile publike dhe që lidhen dukshëm me rreziqe për fëmijët dhe të rinjtë.
“Fëmijët dhe të rinjtë përballen me çrregullime gjumi, humbasin aftësinë për t’u çlodhur dhe për t’u përqendruar, dhe ndihen gjithnjë e më të presionuar nga marrëdhëniet digjitale, ku të rriturit nuk janë gjithmonë të pranishëm,” njofton ministria.
Danimarka, pararojë në BE
Danimarka synon të jetë një nga vendet e para të BE-së që vendos kufizime për përdorimin e mediave sociale nga të rinjtë. Qeveria daneze gjithashtu do që kjo temë të hapet për diskutim në nivel të Bashkimit Evropian, siç njoftuan gjatë presidencës së tyre në Këshillin e BE-së.
Si shembull shërben Australia, ku të rinjtë lejohen të përdorin TikTok, Snapchat, YouTube, Facebook ose Instagram vetëm nga mosha 16 vjeç e lart. /A.Z/UBT News/
