Danimarka hoqi një sërë kufizimesh për COVID-19 dhe lejoi rihapjen e disa vendeve të dielën, pavarësisht përhapjes së variantit Omicron në vend.
Kinematë, kopshtet zoologjike, muzetë dhe teatrot ishin ndër vendet që mund të mirëpritnin sërish vizitorët. Një numër i kufizuar spektatorësh gjithashtu u lejuan të merrnin pjesë në disa ngjarje sportive.
Vizitorëve u kërkohet të mbajnë maska dhe të japin prova se ata janë vaksinuar ose janë shëruar ose së fundmi kanë rezultuar negativë për COVID-19.
Qeveria po planifikon të lehtësojë edhe më tej kufizimet e koronavirusit në Danimarkë, transmeton UBT News.
Ministri danez i shëndetësisë, Magnus Heunicke, u tha gazetarëve në fillim të kësaj jave se qeveria po monitoronte me kujdes situatën e pandemisë.
Ndërsa kryeministrja, Mette Frederiksen, tha se heqja e kufizimeve u bazua në rekomandimet e grupit këshillues të ekspertëve shëndetësorë të qeverisë – Komisioni i Epidemisë – dhe se kabineti i saj “synon të ndjekë rekomandimet” e panelit./UBTNews/