Mediat daneze raportojnë se shërbimi sekret i Danimarkës ndihmoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të spiunonte politikanët evropianë, duke përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel nga viti 2012 deri në vitin 2014.
Shërbimi i Inteligjencës së Mbrojtjes (FE) bashkëpunoi me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, (NSA), për të mbledhur informacione, sipas transmetuesit të shërbimit publik danez, Danmarks radio (DR).
Shërbimi i Inteligjencës hetoi edhe rastet e zyrtarëve të tjerë nga Gjermania, Franca, Suedia dhe Norvegjia.
Akuza të ngjashme rrodhën edhe në vitin 2013. Pastaj, sekretet e zbuluara nga sinjalizuesi amerikan Edward Snowden pretenduan se kishin përgjuar telefonin e kancelares gjermane nga NSA.
Kur u bënë ato akuza, Shtëpia e Bardhë nuk e mohoi rastin, por tha se telefoni i zonjës Merkel nuk ishte duke u përgjuar në atë kohë dhe nuk do të ndodhte në të ardhmen. Gjermania është një aleate e ngushtë e ShBA-së.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe një zëdhënës i Angela Merkel kanë thënë se ata nuk ishin në dijeni për përfshirjen e Danimarkës në këtë rast deri në raportin e radio Danmarks, i cili u transmetua edhe në media të tjera evropiane gjatë fundjavës.
NSA thuhet se ka hyrë në mesazhet me tekst dhe bisedat telefonike të një numri individësh të shquar duke përgjuar kabllot daneze të internetit në bashkëpunim me FE.
Përgjimi, i cili u kodua si “Operacioni Dunhammer”, i mundësoi NSA-së të merrte të dhëna duke përdorur numrat e telefonit të politikanëve si parametra kërkimi, sipas Danmarks Radio.
Çfarë reagimi ka pasur?
Radio Danmarks intervistoi nëntë burime, të gjithë thuhet se kishin qasje në informacionin e klasifikuar që e ka FE.
Së bashku me zonjën Merkel, ministri i atëhershëm i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe udhëheqësi i opozitës në atë kohë, Peer Steinbrück, thuhet gjithashtu se ishin në shënjestër.
“Politikisht unë e konsideroj skandal”, tha Steinbrück para mediave gjermane.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Trine Bramsen, i cili thuhet se ishte informuar më herët për spiunazhin, i tha Danmarks Radio se “përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë është i papranueshëm”.
Pas raportit të ri, Snowden akuzoi presidentin e ShBA-së, Joe Biden se ishte “përfshirë thellë në këtë skandal. Biden ishte nënkryetar i ShBA-së në kohën kur ndodhi survejimi.
“Duhet të ketë një kërkesë të qartë për zbulimin e plotë publik jo vetëm nga Danimarka, por edhe partneri i tyre i lartë gjithashtu”, shkroi ai në Twitter.
Në vitin 2013, Snowden – një ish-kontraktor për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës së ShBA-së (CIA) – zbuloi në media detaje të vëzhgimit të gjerë të internetit dhe telefonit nga inteligjenca amerikane.
Atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e akuzuan atë për “vjedhje të pronës qeveritare”, për “komunikim të paautorizuar të informacionit kombëtar të mbrojtjes” dhe “komunikim me paramendim të informacionit të klasifikuar”.
Para provave që ai ekspozoi, zyrtarët e lartë të inteligjencës amerikane kishin këmbëngulur publikisht se NSA kurrë nuk kishte mbledhur me vetëdije të dhëna nga regjistrat privatë të telefonit./UBTNews
(Hana Shala, studente në Shkenca Politike në UBT)