Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për grumbullimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të drejtave të votimit.
Sipas njoftimit, gjatë procesit të numërimit të votave në komunën e Podujevës dyshohet se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
Kujtojmë se hetime deri më tash ka pasur në Prizren, Malishevë dhe në rajonin e Mitrovicës.
/Kosovapress/
