UBT News

Dështon të dëgjohet dëshmitari në rastin e të akuzuarve për krime lufte

E përditësuar:

10:44

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, pasi pala mbrojtëse kërkoi shtyrjen e saj. Sipas mbrojtjes, përkthimin në serbisht i deklaratës së dëshmitarit që ishte paraparë të dëgjohej sot, e kanë pranuar vetëm disa minuta para fillimit të seancës.

Avokati i palës mbrojtëse, Predrag Milkoviq, deklaroi se marr parasysh këto rrethana, mbrojtja nuk pranon që kjo seancë të vazhdoj.

“Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar, por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet”, tha ai.

Nga ana tjetër, prokurorja e rastit, Florie Shabani, kërkoi që dëgjimi i dëshmitarit të bëhet për të mos vonuar procesin gjyqësor.

“Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer, por për shkak të disa pengesave në kompjuter, për të mos e zvarritur këtë procedurë, është mirë që dëshmia e dëshmitarit të merret nga ana e prokurorisë, ndërsa në një seancë tjetër të merret nga pala tjetër,” tha ajo./S.K/EO/

10:00

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar seanca gjyqësore ndaj Zoran Kostiqit dhe Dragan Miloviqit, te akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, ku do të dëgjohet edhe dëshmia e dëshmitarit Naim Haliti.

Në seancën paraprake janë dëgjuar dy dëshmitarët të Prokurorisë, Habib Mustafa dhe Rrahim Tahiri.

Të dy dëshmitarët kanë deklaruar se të akuzuarin Kostiq e kanë njohur nga periudha e paraluftës dhe se gjatë luftës ai kishte qenë i uniformuar.

Dëshmitari Rrahim Tahiri, duke përmendur krimet e kryera në disa fshatra të komunës së Vushtrrisë, ka deklaruar se i akuzuari Kostiq nuk ka vend që s’ka marrë pjesë.

Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq akuzohen se, në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare serbe, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë konfliktit në Kosovë./S.K/EO/

Exit mobile version