Aktorja e njohur e Hollywood-it, Dakota Johnson, është shpallur ambasadorja e re ndërkombëtare e shtëpisë italiane të modës “Valentino”.
Ylli i filmit “Fifty Shades of Grey” do të bashkëpunojë ngushtë me drejtorin kreativ Alessandro Michele, me të cilin ka punuar më parë gjatë periudhës kur ai drejtonte “Gucci”.
“Jam përtej lumturisë që po i bashkohem familjes ‘Valentino’ dhe që po ribashkohem me mikun tim të dashur, Alessandro Michele. Është një nder dhe emocion i madh të nis këtë kapitull të ri me një ekip kaq të talentuar,” – ka thënë 36-vjeçarja për WWD, sipas FemaleFirst.
Në një deklaratë zyrtare, “Valentino” theksoi se bashkëpunimi me Johnson pasqyron frymën e krijuesit të markës – bashkimin me individë që mishërojnë artin, elegancën dhe ndikimin kulturor.
Johnson i bashkohet kështu aktorit Colman Domingo, ambasador i linjës së parfumeve të “Valentino”.
Së fundmi, aktorja ka folur edhe për stilimin personal, duke pranuar se është “emocionalisht e lidhur” me flokët e saj karakteristike dhe nuk planifikon ndonjë ndryshim të madh.
Parukieri i saj prej vitesh, Mark Townsend, ka treguar për L’Officiel UK se Dakota ndonjëherë i pret vetë balluket:
“Ajo ka një fytyrë në formë zemre, ndaj balluket i përshtaten në mënyrë perfekte. Kur është larg sallonit, ndonjëherë i rregullon vetë – dhe, të them të drejtën, nuk ia del keq,” – ka shtuar ai me humor. /A.Z/UBT News/