14 mijë e 987 zarfa të fletëvotimeve nga jashtë janë pranuar deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kështu ka bërë të ditur koordinatori në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë procedurë për ato të cilat refuzohen.
Për këtë ka reaguar anëtari i komisionit, Alim Rama, i cili tha se kjo qasje e KQZ-së është jo-transparente.
“Është e papranueshme po ashtu në një trajnimet dje, që një nga anëtarët e këshillave ka thënë do të rrehemi dhe do të bëhemi copash dhe nuk lejojmë qitjen e votave të Albin Kurtit. Nuk është e tolerueshme. Kërkoj nga sekretariati që të identifikojë dhe të bëjë zëvendësimin e tij”, ka thënë ai.
Anëtari i komisionit, Sami Kurteshi ka kërkuar që të publikohet lista e votuesve jashtë vendit e që u është refuzuar aplikimi për votim.
“A keni ndonjë informacion se ka keqpërdorime të natyrave të ndryshme. Sa i përket listave, aplikimeve dhe dokumenteve, kërkoj nga KQZ që deri më datën 13 shkurt të pranohen zarfet. Ju zonja kryesuese e keni monopolizuar këtë institucion. Ju kur ngrisim ndonjë çështje na thoni se po mbajmë ligjërata bashkë me patriotikët tjerë. Ne kemi ngritur çështje të cilat janë për këtë institucion, asnjë çështje private nuk e kemi ngritur”, ka deklaruar Sami Kurteshi.
Për këtë ka reaguar edhe kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila tha se po tentohet që të kontrollohet ky institucion.
“Faleminderit që më keni bërë kaq të fuqishme. Unë jam personi që kontrollojë krejt. Faleminderit shumë. Çdo mbledhje e kthyer në teatër, sepse jemi kthyer në serialin Kasandra, se di cili episod jemi. Ne mund të vazhdojmë të gjitha çështjet ligjore. E gjithë fushata juaj kundër meje është kthyer në personale sepse po iu pengon Valdete Daka”, ka thënë ajo.