UBT News

Daka: Pandemia sfidë për organizimin e zgjedhjeve lokale, s’na duhet buxhet shtesë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk do të ketë nevojë për buxhet shtesë për organizmin e zgjedhjeve lokale, ndonëse pritet që ky proces të mbahet i sfiduar edhe nga pandemia.

Kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka, në një intervistë për Ekonomia Online ka konfirmuar se zgjedhjet komunale do të kenë një kosto më të lartë krahasuar me ato nacionale, për shkak të dy raundeve.

“Ne kemi parashikuar sa do të jenë zgjedhjet lokale dhe gjithsesi këto do të jenë më të shtrenjta për shkak të dy raundeve, por edhe sa i përket mjeteve të cilat na nevojiten për parandalimin e pandemisë ato tash janë paraparë dhe nuk do të ketë nevojë për buxhet shtesë”, deklaroi ajo.

Situata e krijuar nga pandemia pritet që KQZ-së të t’i sjellë probleme në organizimin e zgjedhjeve, mirëpo Daka shpreson se do të fillojë edhe vaksinimi i popullatës, që siç thotë ajo nuk do të kishte nevojë për masa shtesë.

“Situata me pandeminë ka me qenë ajo që më së shumti ka me na sjellë probleme, ndoshta shpresoj që popullata do të fillojë vaksinimin dhe ndoshta masat do të lehtësohen dhe nuk do të ketë nevojë për këto masat preventive, por gjithsesi që e kanë rritur edhe koston e zgjedhjeve”, tha Daka.

E para e KQZ-së tha se tashmë janë të gatshëm për këto zgjedhje, pavarësisht që nuk e kishin menduar se në shkurt do të mbaheshin edhe ato nacionale.

“Po KQZ-ja tashmë e ka ditur se ky vit është vit zgjedhor dhe do të jenë zgjedhjet lokale dhe gjithsesi ne nuk e kemi parashikuar që do të kemi edhe zgjedhje të parakohshme, por zgjedhjet lokale janë ato rregullta për të cilat ne përgatitemi çdo katër vjet”, deklaroi ajo.

Daka ka folur edhe për procesin e fundit zgjedhor të 14 shkurtit. Ajo tha se ky proces ka qenë një prej proceseve më të organizuara.

“Procesi i fundit zgjedhor ka qenë një prej proceseve më të mira të organizuara, jo vetëm që është vetëm vlerësim i imi personal, por edhe vlerësim i të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e zgjedhjeve edhe ata që kanë vëzhguar ditën e zgjedhjeve, por edhe të gjitha ato që kanë ndodhur pas ditëve të zgjedhjeve”, shtoi Daka.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

Exit mobile version