Pas dorëheqjes së tij, sot në Kryeministri, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish- Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi. Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për punën, angazhimin dhe kontributin e tij. Ai falënderoi Dr. Rifatin që nuk ka kursyer jo vetëm dijen e përvojën e tij, por edhe kontaktet e shumta ndërkombëtare, për ta ndihmuar e avancuar sektorin dhe sistemin e shëndetësisë në Kosovë. Kurti i dëshiroi suksese në vijim, dhe shprehu vullnetin për mënyra të tjera për bashkëpunim në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Duke e falënderuar për besimin dhe bashkëpunimin, Dr. Rifati shprehu gatishmërinë e tij dhe u zotua për vazhdim të mbështetjes si profesionist, akademik e qytetar, sidomos në projektet e filluara tanimë, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njëkohësisht, Kryeministri Kurti sot ka emëruar zëvendësministren Dafina Gexha-Bunjaku për ushtruese të detyrës së Ministres në Ministrinë e Shëndetësisë.