“Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik për përparim në integrimet evropiane të vendit. Kabineti ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, por hapat e nevojshëm për përparim në këto aplikacione nuk janë bërë”, tha për agjencinë bullgare të lajmeve “BTA”, raportuesja e Parlamentit Evropian (PE) për Kosovën, Viola von Cramon.
Sipas saj, ata thonë se duan të bëhen anëtarë të NATO-s, BE-së dhe Këshillit të Evropës, por nëse dikush i njeh rregullat e klubit, duhet të luajë me ato rregulla në vend që t’i shkelë ato. Ajo vazhdoi duke thënë se Qeveria e Kosovës aktualisht nuk po ua lehtëson aspak jetën qytetarëve; po dërgon sinjale shumë të përziera. Partnerët ndërkombëtarë janë të lodhur nga mosveprimi i Prishtinës, dhe kjo çoi në futjen e masave ndëshkuese nga BE-ja vitin e kaluar.
Raportuesja e PE-së tha për se për t’u anëtarësuar në BE, Kosova duhet të njihet si një vend i pavarur nga shtetet anëtare, e pesë prej tyre nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Të gjithë pajtohen se ka nevojë për përfundim të suksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë. Do të ishte shumë më e lehtë për të gjithë nëse Kosova do të thoshte se i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe i plotëson të gjitha kriteret, atëherë BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë do të ushtrojnë presion të madh ndaj Serbisë për të përmbushur pjesën e saj. Megjithatë, Kosova nuk po e bën këtë, gjë që e bën jashtëzakonisht të lehtë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq të thotë se nuk ka kuptim që ai të investojë kapital politik nëse nuk ka interes për përparim nga ana e Kosovës”, tha Von Cramon.
Ajo ka komentuar edhe vendimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës që transaksionet me para të gatshme duhet të jenë në euro që nga 1 shkurti.
“Kosova si shtet sovran ka të drejtë të vendosë se cilën valutë do të përdorë, por mënyra se si u përpoq ta zbatonte atë vendim është problematike. Ata nuk informuan personat që do të prekeshin për vendimin; ata nuk qarkulluan informacione në serbisht për vendimin dhe nuk u bënë konsultime. E gjithë kjo ishte kundër interesave të njerëzve të zakonshëm”, argumentoi ajo.
“Të gjithë në BE dhe Washington po pyesin pse po e bëjnë këtë, por, në fund të fundit, ata synojnë njerëzit e zakonshëm nga pakica serbe. Kur Kosova shpalli pavarësinë, ishte e qartë se bëhej fjalë për një shtet dhe shoqëri multietnike dhe nevojiten mekanizma për ta mbrojtur atë shoqëri multietnike. Megjithatë, partisë në pushtet dhe mbështetësve të saj tani nuk i intereson kjo”, tha Cramon.
Sipas raportueses së PE-së, Kosova është plotësisht e mundur që të anëtarësohet në BE, por ajo shpreson të shohë një qeveri që punon në interes të qytetarëve të vendit për ta arritur këtë qëllim.
“Realiteti aktual është ndryshe dhe mjaft zhgënjyes”, shtoi ajo.
Ajo se asnjë nga mekanizmat e BE-së për trajtimin e krizave të tilla nuk ka qenë mjaft efektiv deri më tani dhe vendosja e masave kufizuese që prekin drejtpërdrejt qytetarët e vendit do të ishte e padrejtë.