Kur në shumë shtete certifikata COVID është bërë e detyrueshme për të hyrë në bare, restorante apo të tjerë vende publike në Danimarkë duke nisur nga 10 shtator nuk do të kërkohet më një dëshmi e tillë.
Autoritetet në Danimarkë kanë vendosur të heqin të gjitha masat kufizuese kundër coronavirusit, duke përjashtuar kontrollet kufitare.
Qeveria ka bërë me dije se vendi ka vendosur nën kontroll pandeminë. Mbajtja e maskës do të mbetet e detyrueshme në udhëtimet me avion dhe në aeroporte specifike.
Eksperti i shëndetit në Universitetin e Kopenhagen, shprehet se ka mbështetje publike për heqjen e certifikatave të COVID-19, por ai theksoi se autoritetet daneze duhet të jenë akoma vigjilentë për të parandaluar përhapjen e varianteve të reja, pasi lufta kundër pandemisë nuk ka përfunduar dhe vendi nuk është ende jashtë rrezikut.
“Monitorimi i përhapjes së infeksionit, vëzhgimi shumë i detajuar mbi variantet në qarkullim dhe përgatitja e gatishmërisë së qendrave të testimit do të jetë pjesë e planifikimit të ardhshëm. Ne duhet të mbajmë një strategji komunikimi mbi masat e përgjithshme të higjienës. Dhe ne duhet të nxisim përpara për të rritur imunizimin. Nuk mund të qëndrojmë në nivele ku 75-76% të popullsisë ka marrë 1 ose 2 doza të plota vaksinimi. Ne duhet ta shtyjmë atë afër 90%.Kemi filluar edhe programin përforcues të imunizimit për individët më vulnerabel”, thotë Flemming Konradsen, profesor në universitetin e Kopenhagen.
Shteti me 5.8 milion banorë deri më tani ka vaksinuar plotësisht më shumë se 75% të qytetarëve të moshës 12 vjeç e lart. Njerëzit më vulnerabël tani mund të marrin edhe një dozë të tretë. Qeveria synon që deri më 1 tetor, 90% e personave mbi moshën 12 vjeç të kenë marrë të paktën një dozë./euronews.al