Organizata “Reporterët pa Kufij” paraqet listën për lirinë e shtypit për vitin 2021. Në Ballkan përdoren akuza për drogë për të hequr qafe gazetarët hulumtues.
Kohë të këqija për gazetarët: “Pandemia korona intensifikon dhe konsolidon tendencat shtypëse në të gjithë botën”, thotë drejtori menaxhues i “Reporterëve pa Kufij” (ROG), Christian Mihr, në një intervistë për Deutsche Welle-n. Situata është përkeqësuar pak a shumë në të gjitha kontinentet, siç mund të shihet nga analiza e lirisë së shtypit në vitin 2021.
Mihr citon shembuj nga një larmi rajonesh: në Hungari dhe në Malajzi përhapja e lajmeve të rreme konsiderohet si vepër penale. Kurse Egjipti ka ndaluar botimin e numrave jozyrtarë të infektimeve.
Organizata Reporterët pa Kufijështë veçanërisht e shqetësuar për zhvillimet në Bjellorusi. Represioni është “masiv dhe i pakrahasueshëm”. Vetëm në fund të vitit 2020 u arrestuan më shumë se 400 gazetarë. “Dhe ne kemi dëgjuar vazhdimisht për abuzime.” Me vendin e 158 nga 180, Bjellorusia renditet shumë poshtë. Rusia (150) renditet vetëm në një pozicion pak më të mirë.
Akuza për drogë për të hequr qafe gazetarët
Në Serbi (93, +/- 0), Malin e Zi (104, +1) dhe Shqipëri (83, +1), media pro qeveritare, gjyqësori dhe qeveria përdorin akuza për drogë për të hequr qafe gazetarët hulumtues ose për t’i vënë nën kontroll mediat kritike.
Edhe Gjermania rezulton në hartën e liria së shtypit jo më e bardhë (mirë), por vetëm e verdhë (kënaqshëm). Kjo rënie e Gjermanisë nga vendi 11 në të 13-in lidhet me indikatorin e dhunës. Në Gjermani ka pasur gjatë vitit 2020 mjaft raste dhune ndaj gazetarëve, nga 11 një vit më parë kjo shifër arriti në 65.
Bullgaria (112, -1) rendet si vendi më i keq i BE-së. Në Bullgari qeveria refuzon të hyjë në një dialog serioz rreth hapave për të forcuar lirinë e shtypit dhe autoritetet në rastin më të mirë reagojnë me shumë hezitim ndaj dhunës dhe kërcënimeve ndaj punonjësve të medias.