Neuronet e dëmtuara ose të vdekura, mikrohemorragjitë dhe inflamacionet e rënda, ndoshta për shkak të një furnizimi më të ulët të gjakut në tru, janë gjetur te primatët e prekur nga Covid-19 edhe në mungesë të simptomave të rënda të frymëmarrjes, transmeton ATSH.
Zbulimi, i publikuar në ”Nature Communications” nga Universiteti i Tulanes (SHBA), mund të ndihmojë për të kuptuar origjinën e simptomave neurologjike (të tilla si konfuzioni dhe dhimbja e kokës) që prekin disa pacientë dhe që mund të vazhdojnë në të ashtuquajturin Covid-19 të gjatë.
Studimi u krye në Qendrën Kombëtare të Kërkimit të Primatëve, ku studiuesja Tracy Fischer ka studiuar trurin e primatëve jonjerëzorë prej vitesh.
Në pranverën e vitit 2020, qendra nisi një studim Covid-19 që synonte të hetonte efektet e virusit SarsCoV2 në indin e trurit të kafshëve të infektuara.
Rezultatet theksuan menjëherë inflamacionin e rëndë dhe dëmtimin e trurit (përfshirë neuronet e dëmtuara ose të vdekura) në përputhje me një reduktim të furnizimit me gjak dhe oksigjen në tru.
Përveç kësaj, u konstatuan edhe hemorragji të vogla.
“Meqenëse subjektet nuk kishin përjetuar simptoma të rëndësishme të frymëmarrjes, askush nuk priste që ata të kishin një gjendje kaq të rëndë në tru”, tha Fischer.
“Por, rezultatet janë të forta dhe të qarta dhe në mënyrë të pamohueshme rezultat i infeksionit. Të dhënat janë gjithashtu në përputhje me studimet e autopsisë të kryera te pacientët që vdiqën nga Covid-19, një fakt që tregon se primatët jonjerëzorë mund të jenë një model i përshtatshëm për studimin e sëmundjes”, theksoi ajo.